Pushteti politik i shtetit të Bosnje-Hercegovinës pas largimit nga Jugosllavia e Titos dhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqe në Bosnje dhe Hercegovinë, është formuluar në Kushtetutën e saj e cila është pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit. Sistemi politik ka për qellim të shpjegojë rregullimin e pushtetit të një shtetit.
(vijon nga
pjesa e parë)
III. SISTEMI POLITIK I SHTETIT TË BOSNJE-HERCEGOVINËSPushteti politik i shtetit të Bosnje-Hercegovinës pas largimit nga Jugosllavia e Titos dhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqe në Bosnje dhe Hercegovinë, është formuluar në Kushtetutën e saj e cila është pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit. Sistemi politik ka për qellim të shpjegojë rregullimin e pushtetit të një shtetit.
Bosnja dhe Hercegovina në nenin I. Pika 2. e Kushtetutës definohet si një shtet demokratik, që funksionon sipas shtetit të së drejtës dhe me zgjedhje të lira dhe demokratike. Nëse do të analizonim dhe interpretonim rregullimin e sistemit politik, mund të themi se Shteti i Bosnje-Hercegovinës është shtet i thjesht i decentralizuar. Këtë e shpjegon më së miri profesori Ibrahimagiq, i cili thotë se: “Nuk ka as një pengesë kushtetuese nëse Bosnje-Hercegovina interpretohet si shtet i thjesht decentralizuar me dy entitete autonome multietnike...
[1]”
Me Kushtetutën e saj, Bosnja dhe Hercegovina është formuluar si shtet sovran me subjektivitet ligjoro-ndërkombëtar, në përbërjen e të cilit janë dy entitete: Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republika Serbe, në kufijtë aktualë të pranuar ndërkombëtarisht. “Ndarja e pushtetit në mes të shtetit dhe entiteteve, është përcaktuar me Kushtetutë, ndërsa të gjitha kompetencat të cilat nuk janë paraqitur në Kushtetutë, janë në kompetencë të entiteteve”
[2]. Është me rëndësi të ceket se Rregulla e Kushtetutës është që kushtetutat e ligjet e entiteteve duhet të jenë në korrelacion me Kushtetutën e Shtetit. Këtë gjë e ka nën kontroll Gjykata Kushtetuese.
Siç e kemi thënë edhe më lartë, Marrëveshja e Dejtonit e konfirmon dhe pranon vazhdimësinë e Republikës së Bosnje-Hercegovinës, e cila shpalli pavarësinë e saj me 06. prill 1992., por me marrëveshjen në fjalë kjo Republikë emërohet si “Bosnja dhe Hercegovina”. Kushtetuta nuk jep një formulim të prerë se çfarë rregullimi shtetëror ka Bosnja dhe Hercegovina, por në asnjë mënyrë nuk mund të themi se ky shtet paraqet uni0nin e shteteve, federatën apo konfederatën. Ka tendenca që të paraqitet edhe si uni0n shtetesh, edhe si federatë apo si konfederatë. Do të ishte një kuazishkencë e këtij studimi sikur të mos bënim një analizë të termit “institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës”. Kushtetuta e nuk përdor shprehjen “njësitë federative” të Bosnje-Hercegovinës, as edhe “institucionet e përbashkëta të Bosnje-Hercegovinës”, por “institucionet e Bosnje-Hercegovinës”. Me këtë konkludojmë se “entitetet” janë “institucione” të shtetit.
Në vijim, me radhë do të shpjegojmë organet qeverisëse të shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, të entiteteve dhe të Distriktit të Brçkos.
III. A. Organet Qeverisëse të Bosnjës dhe HercegovinësKushtetuta e Bosnje-Hercegovinës vendosin organin Legjislativ, organin Ekzekutiv dhe organin Gjyqësor. Përgjegjës për pushtetin Legjislativ është Asambleja parlamentare, e përbërë nga Dhoma e Përfaqësueseve dhe Dhoma e Popujve. Pushtetin Ekzekutiv e ushtron Presidenca dhe Këshilli i Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, ndërsa Gjyqësorin
[3] e ushtron Gjykata kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës
[4].
III. A.1. Asambleja ParlamentareMe Kushtetutë është paraparë që Asambleja parlamentare të ketë dy dhoma: Dhomën e Përfaqësueseve dhe Dhomën e Popujve. Vendimet ligjore duhet të miratohen nga ana e dy dhomave, gjegjësisht, vendimet i miraton shumica e atyre që janë të pranishëm e të cilët votojnë, me që gjë duhet të krijohet kuorumi i
kërkuar[5].
Dhoma Popujve, sipas nenit IV, pika 1. të Kushtetutës është e përbërë prej 15 delegatëve, dy të tretat e tyre, gjegjësisht dhjet delegatë janë nga Federata e Bosnje-Hercegovinës ku përfaqësohen boshnjakët me 5 delegatë dhe kroatet me 5 delegatë. Nga Republika Serbe janë një e treta, gjegjësisht 5 delegatë të cilët përfaqësojnë serbët.
Zgjedhjen e delegatëve boshnjakë, gjegjësisht kroatë për Dhomën e Popujve të Asamblesë parlamentare të Bosnje-Hercegovinës e bëjnë delegatet boshnjakë, gjegjësisht kroatë në Dhomën e Popujve të Asamblesë parlamentare të Federatës së Bosnje-Hercegovinës, kurse delegatet serb i zgjedh Kuvendi popullor i Republikës Serbe
[6].
Dhoma e Përfaqësueseve, sipas nenit IV. Pika 2. të Kushtetutës është e përbërë prej 42 anëtarëve, dy e tretat e tyre, gjegjësisht 28 janë nga Federata, kurse një e treta, gjegjësisht 14 janë nga Republika Serbe. Anëtarët e kësaj dhome zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët e secilit entitet.
Asambleja parlamentare me Kushtetutën e Bosnje-Hercegovinës ka kompetenca në këto fusha: a). Miraton ligjet të cilat janë të nevojshme për sjelljen e vendimeve të Presidencës ose për funksionimin e Kuvendit me Kushtetutë, b). Vendos burimet dhe shumën materiale për punën e institucioneve të Bosnje-Hercegovinës dhe për obligimet ndërkombëtare të Bosnje-Hercegovinës, c). Miraton buxhetin e institucioneve të Bosnje-Hercegovinës, d). Vendos mbi pajtimin e ratifikimeve të marrëveshjeve, e). Çështjeve tjera që sigurojnë kryerjen e detyrave të saja ose të atyre detyrave që u janë caktuar me marrëveshje të përbashkët entiteteve
[7].
III. A.2. PresidencaShteti i Bosnjës dhe Hercegovinës me Kushtetutën e saj, sipas nenit V. ka tre anëtarë të Presidencës: një Boshnjak, një Kroat, të cilët zgjidhen drejtpërdrejt nga territori i Federatës së Bosnje-Hercegovinës dhe një Serb, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga territori i Republikës Serbe
[8].
Mandati i anëtarëve të Presidencës të cilët do të zgjidhen është katër vite me mundësi kandidimi për vetëm edhe një mandat. Mandatin e parë të presidentit të Presidencës e udhëheq kandidati që ka marrë më së shumti vota, kurse pas tetë muajve bëhet kalimi tek anëtari i tjetër i presidencës e kështu me radhë.
Pika 3. e nenit të V. Presidencës ia ngarkon këto obligime: a).Drejton politiken e jashtme të Bosnje-Hercegovinës, b). Emëron ambasadorët dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë të Bosnje-Hercegovinës, prej të cilëve dy të tretat nga Federata e Bosnje-Hercegovinës, c). Përfaqëson Bosnje-Hercegovinën në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare e evropiane dhe kërkon anëtarësim në ato organizata dhe institucione ndërkombëtare në të cilat Bosnja dhe Hercegovina nuk ka anëtarësim. d). Udhëheq bisedime mbi miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të Bosnje-Hercegovinës, anulimin dhe, me pajtimin e Asamblesë parlamentare, ratifikimin e atyre marrëveshjeve. e). Ekzekutimin e vendimeve të Asamblesë parlamentare, f). Propozimin e buxhetit vjetor para Asamblesë parlamentare sipas referimit të Këshillit të ministrave, g). Jep raport Asamblesë parlamentare mbi të arriturat e Presidencës, por një herë në vit me kërkesë të saj, h). Koordinon, sipas nevojës, me organizatat joqeveritare e ndërkombëtare në Bosnje-Hercegovinës, i). Kryen veprime tjera të cilat mund të jenë të nevojshme për të ushtruar detyrat e dërguara nga Asambleja parlamentare ose në ato që pajtohen entitetet
[9].
III. A.3. Këshilli i MinistraveKëshilli i Ministrave është
par exelance Qeveria e Bosnjës dhe Hercegovinës, as më pak e as më shumë se qeveritë e tjera të shteteve. Kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës me nenin V, pika 4. thotë se Presidenca emëron kryesuesin e Këshillit të Ministrave, i cili dot të drejtojë Këshillin e Ministrave me lejen e Dhomës së përfaqësuesve të Asamblesë parlamentare të Bosnje-Hercegovinës.
Pasi të emërohet, Kryesuesi i Këshillit të Ministrave
[10] emëron ministrin e punëve të jashtme, ministrin e tregtisë së jashtme dhe ministrat e tjerë, por edhe zëvendësministrat e tjerë. Zëvendësministrat nuk mund të jenë nga i njëjti nacionalitet sikurse ministrat. Ministrat dhe zëvendësministrat do të marrin detyrat e tyre atëherë kur për ta e jep dritën jeshile Dhoma e Përfaqësueseve. Dy e treta e ministrave janë nga territori i Federatës së Bosnje-Hercegovinës.
Këshilli i Ministrave i përgjigjet Asamblesë parlamentare e cila sipas Kushtetutës mund t´i shkurtojë të drejtat. Për dallim nga Presidenti i Presidencës i cili funksionon sipas rotacionit, Kryesuesi i Këshillit të Ministrave nuk e bën këtë.
III. A.4. GjyqësoriOrgani Gjyqësor në Bosnje-Hercegovinë realizohet përmes Dhomës për të drejtat e njeriut, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjyqit
shtetëror[11]. Dhoma për të drejtat e njeriut është gjykatë vendore, e pavarur nga ajo që në të ulen tetë gjykatës ndërkombëtarë kundrejt gjashtë vendorëve
[12].
Neni Vi. i Kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës ka formuluar institucionin e Gjykatës Kushtetuese i cili do të mbrojë Kushtetutën. Sipas përbërjes është paraparë që kjo Gjykatë të ketë nëntë anëtarë, prej të cilëve katër i zgjedh Dhoma e Përfaqësueseve të Federatës së Bosnje-Hercegovinës dhe dy anëtarë Kuvendi i Republikës Serbe. Tre anëtarët e tjerë i zgjedh presidenti i Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut pas konsultimeve me Presidencën, me që gjë ata nuk mund të jenë shtetas të Bosnjës dhe Hercegovinës ose të cilit do shtet fqinjë
[13]. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të
detyrueshme[14].
III. B. Entitetet e Bosnjës dhe HercegovinësSiç e kemi thënë procesi për sjelljen e paqes në Bosnje e Hercegovinë, ka kaluar nëpër një trajektore të vështirë. Para Marrëveshjes së Dejtonit për të sjellë paqe e ndalë luftën e tmerrshme janë provuar disa plane, por të gjitha të pa suksesshme.
Në procesin e paqes për Bosnje-Hercegovinë, më së pari është krijuar Federata e Bosnje dhe Hercegovinës. Në vitin 1994. me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare u nënshkrua në Uashington marrëveshja në mes të Boshnjakëve dhe Kroatëve për formimin e Federatës së Bosnje-Hercegovinës.
Kurse, parahapësira gjenocidiale “Republika e Serbëve të Bosnjës dhe Hercegovinës” u legalizua me 14 dhjetor të vitit 1995, dhe u njoh me emrin “Republika Serbe” si entitet i cili së bashku me Federatën e Bosnje-Hercegovinës do të hyjnë në Shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Për faktin që në këtë punim jemi të koncentruar tek sistemi i Bosnjës dhe Hercegovinës si shtet nuk do të flasim shumë për entitetet. Thjesht do të jap një përgjithësim të strukturës së këtyre entiteteve.
III. B.1. Entiteti i Federatës së Bosnjës dhe HercegovinësFederate e Bosnjës dhe Hercegovinës është e ndarë në dhjetë kantone, e ato janë:
Kantoni Unsko-Sanski
Kantoni Posavski
Kantoni i Tuzllës
Kantoni Zenic-Doboj
Kantoni Bosnja e mesme
Kantoni Bosnja-Podrinja
Kantoni Hercegovinës-Neretves
Kantoni Hercegovina Perendimore
Kantoni i Sarajevës
Kantoni i Livnit
Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës ka organet Legjislative, Ekzekutive dhe Gjyqësore. Parlamenti i Federatës është organi legjislativ dydhomësh i Federatës së Bosnje-Hercegovinës. Çdo dhomë ka një kryetar dhe një zëvendëskryetar. Dhoma e Përfaqësuesve ka 140 anëtarë dhe Dhoma e Popujve ka 80 anëtarë, përfshirë 30 kroatë, 30 boshnjakë dhe 20 të tjerë. Anëtarët e Parlamentit të Federatës zgjidhen për një mandat dy-vjeçar.
Organi Ekzekutiv e drejton Qeveria e Federatës së Bosnje-Hercegovinës e cila kryesohet nga Kryeministri dhe Zëvendësi i tij dhe përfshin 12 ministra e zëvendësit e tyre, si dhe dy ministra pa portofol.
Gjykata e Lartë përfaqëson organin gjyqësor, por Federata ka edhe gjykatat kantonale plus gjykatat e qyteteve.
III. B.1. Entiteti i Republikës Serbe Republika Serbe është shumë e centralizuar dhe më pak komplekse në krahasim me Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ajo përbëhet nga Regjionet, të cilat janë:
Regjioni i Banja Lukës
Regjioni i Dobojt
Regjioni i Bijelinës
Regjioni i Sarajevës-Romanis
Regjioni i Trebinjës
Gjithashtu edhe Republika Serbe ka organin e Legjislativit, të Ekzekutivit si dhe Gjyqësorin.
Kuvendi popullor i Republikës Serbe është organ njëdhomësh legjislativ i cili përbëhet nga 83 anëtarë të zgjedhur me vota nga qytetarët e territorit të Republikës Serbe. Përfaqësimi është proporcional. Ata kanë një mandat dy vjetësh.
Ekzekutivi është në duar të Qeverisë së Republikës Serbe dhe kryesohet nga kryeministri. Kryeministri i Republikës Serbe ka edhe zëvendës kryeministrat të cilet janë nga nacionalitetet jo-serbe. Në qeveri janë 17 ministra.
Sikurse Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës edhe Republika Serbe ka Gjykatën e Lartë dhe pesë gjykata qytetesh.
III. B.3. Distrikti i BrçkosDistrikti i Bërçkos në Bosnje-Hercegovinë është formuar me Arbitrazh ndërkombëtar dhe shtrihet në veri-lindje të shtetit. Është një njësi administrative vetë-qeverisëse nën sovranitetin e Bosnje-Hercegovinës; ajo nuk është pjesë as e Federatës, as e RS-së.
KONKLUDIMI Para se të vendosej paqja në Bosnje dhe Hercegovinë, bashkësia ndërkombëtare prezantoi disa plane të cilat ishin të pasuksesshme. Planet që u ofruan ishin: Plani i Kutilijer-it, Plani i Vans-Oven-it, Plani i Oven-Stoltenberg-ut, Marrëveshja e Uashingtonit, Plani i Kontakt grup-it. Të gjitha këto plane, përveç Marrëveshjes së Uashingtonit me të cilën u bë një marrëveshje gjysmake ku u krijua Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, të gjitha planet tjera pësuan një kolaps të vërtetë.
Pas këtyre tentimeve emisari, Richard Holbrooke u bë arkitekti kryesor i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit e cila përfundoi luftën e viteve 1992-1995 në BeH. Se çfarë të arriturash ndodhen me këtë marrëveshje, profesori Mirko Pejanoviq – i cili ishte edhe anëtar i presidencës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë – e shpjegon në librin e tij: “The political development of Bosnia and Herzegovina in the post-Dayton period”, kështu: “Para se gjithash, marrëveshja i dha Bosnjës dhe Hercegovinës kushte për implementimin paqësor të problemeve. Kjo garantohet me prezencën e forcave të NATO-së si dhe forcës civile ndërkombëtare të drejtuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkësisë Ndërkombëtare”
[15]. “Shkurt, Marrëveshja e Dejtonit i garantoi Bosnjës dhe Hercegovinës: 1). Integritetin territorial, 2). Vazhdimësinë e shtetësisë me garantimin e subjektivitetit juridik, dhe 3). Integrimin ndërkombëtar përmes stabilizimit paqësor, kthimin e refugjatëve dhe krijimin e institucioneve demokratike”
[16]. Profesori Pejanoviq thotë: “Fuqia e institucionit të OHR, (prej përfaqësuesit të parë, Karl Bildt e deri tek Paddy Ashdown) ka inkurajuar Bosnje-Hercegovinën në lëvizjen e lirë, targat e veturave të njësuara, emblemën, flamurin, valutën dhe barazinë politike dhe kushtetues të qytetarëve në tërë territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Roli i OHR ishte i veçantë në reformimin e shërbimit doganor, njësimin e Ministrisë së Mbrojtjes, Ushtrisë, Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe njësimin e sistemit të taksave.
[17]”. Por, profesori thotë se, çfarë neve na duhet tani janë ndryshimet e rrënjësishme të rolit të komunitetit ndërkombëtar si dhe të sistemit politik të shtetit. “Ndryshimet mund të ndodhin në fazën e negocimit për procesin e integrimit të asocim-stabilizimit të Bosnje-Hercegovinës në EU, si dhe me integrimin e plotë të shtetit në EU”
[18]. “Në këtë kontekst vjen ideja e ndryshimit të Kushtetutës së Dejtonit, si kërkesë e EU-së për integrim. Ndryshimi i sistemit politik
[19] të ndërtuar sipas Dejtonit nuk mund të ndodhe pa implikimin e bashkësisë ndërkombëtare.
[20]”
Si konkludim do të mund të thonim se: Fakti që ky shtet është i kurorëzuar me një marrëveshje të dizajnuar nga ndërkombëtarët ka faktuar se mekanizmi i Dejtonit i ka shpenzuar të gjitha mundësit historike të saja
[21].
[1] Ibrahimagić, Omer dhe Kurtćehajić, Suad 2007, “Politički sistem Bosne i Hercegovine (br.3)”, Autori, Sarajevo, fq.268
[2] Ibid, fq.263
[3] Gjykata shtetërore e Bosnje-Hercegovinës është krijuar e rregulluar me ligj më pas.
[4] Ibrahimagić, Omer dhe Kurtćehajić, Suad 2007, “Politički sistem Bosne i Hercegovine (br.3)”, Autori, Sarajevo, fq. 192
[5] Ibid, fq.192
[6] Ibrahimagić, Omer dhe Kurtćehajić, Suad 2007, “Politički sistem Bosne i Hercegovine (br.3)”, Autori, Sarajevo, fq.193
[7] Ustav Bosne i Hercegovine, Boton: Parlamentarna Skuptina BiH, Publikacija br.32, Sarajevo, 2006, fq.16, Neni IV, pika 4.
[8] Ibid. fq. 16
[9] Ustav Bosne i Hercegovine, Boton: Parlamentarna Skuptina BiH, Publikacija br.32, Sarajevo, 2006, fq.18, Neni V, pika 3.
[10] Duhet tërhequr vëmendjen lexuesit se Legjislativi i Bosnje-Hercegovinës në Kushtetutë nuk emërohet si “Qeveria e Bosnjës dhe Hercegovinës” por si “Këshilli i Ministrave i Bosnje-Hercegovinës”. Kurse në krye të këtij organi Legjislativ nuk është “Kryeministri” por “Kryesuesi i Këshillit të Ministrave”. Kjo siç e shpjeguam në tekst nuk do të thotë se Këshilli i Ministrave e Kryesuesi i këtij këshilli ka ndonjë funksion më ndryshe nga Qeveria e Kryeministri i ndonjë vendi tjetër.
[11] Ibrahimagić, Omer dhe Kurtćehajić, Suad 2007, “Politički sistem Bosne i Hercegovine (br.3)”, Autori, Sarajevo, fq.281
[12] Ibido, fq.281
[13] Ustav Bosne i Hercegovine, Boton: Parlamentarna Skuptina BiH, Publikacija br.32, Sarajevo, 2006, fq. 20, 21, Neni VI, pika 3
[14] Ustav Bosne i Hercegovine, Boton: Parlamentarna Skuptina BiH, Publikacija br.32, Sarajevo, 2006, fq. 22, Neni VI, pika 4
[15] Pejanović, Mirko 2007, “The political development of Bosnia and Herzegovina in the post-Dayton period”, ahinpaić, Sarajevo, fq. 216
[16] Ibid, fq.216
[17] Ibid, fq.219
[18] Ibid, fq.220
[19] Bisedimet e inicuara të Bashkësisë ndërkombëtare në Bruksel (nëntor 12-15, 2005) dhe Uashington (nëntor 18-22, 2005) për ndryshimin e Kushtetutës pësuan kolaps.
[20] Ibid, fq.221
[21] Maloku, Albinot 2008 “Edhe në festa të ndarë!“ Kosovapress, [data e akcesit 15.12.2008,
www.kosovapress.com]