Asnjëherë në historinë e njerëzimit ritmet e shtimit të popullsisë dhe të lindjeve nuk ka rënë në nivele kaq të ulëta, kaq shpejt, për një periudhë kaq të gjatë dhe në një pjesë kaq të madhe të botës. Ky është përfundimi alarmues që thekson sociologu amerikan Ben Wetenberg, duke i cilësuar prirjet aktuale si problemin më shqetësues me të cilin ndeshet aktualisht njerëzimi. Disa nga rezultatet më të dukshme të kësaj dukurie: shumë kombe në botë po pakësohen në numër, ndërkohë që popullsia ekzistuese ka një moshë mesatare gjithnjë e më të lartë.
Rënia e ritmeve të shtimit të popullsisë, sado shqetësuese dhe me pasoja negative, është në thelb kurorëzimi me sukses i një sërë programesh sociale dhe teknike, si përmirësimi i kujdesit shëndetësor, emancipimi i gruas apo përparimeve të teknologjisë.
Kujdesi shëndetësor, në vençanti përmirësimi i kujdesit për foshnjat, ka pakësuar ritmet e vdekshmërisë në foshnje. Si rezultat prindërit nuk lindin më 5 apo 6 fëmijë me shpresën që disa prej tyre të jetojnë si para 60-70 vjetësh, por lindin vetëm 1 apo 2 fëmijë, të cilët kanë shanse shumë të mira për t’u rritur të shëndetshëm, si rrjedhojë e përmirësimit të kujdesit dhe fushatave për vaksinim.
Ndërkaq, rritja e moshës mesatare, megjithëse është këmbana e alarmit për numrin e vogël të foshnjeve që lindin, është njëkohësisht edhe rezultat i një suksesi tjetër nga përparimet mjekësore dhe përmirësimit të kushteve të jetesës: brezi i moshuar tani është në gjendje të jetojë më gjatë dhe në mënyrë më aktive se kurrë më parë.
Nga ana tjetër, kjo prirje ka edhe pasoja negative: ulja e ritmeve të shtimit të popullsisë nënkupton një plakje të popullsisë botërore. Do të ketë një pakësim të rinisë, qoftë si fuqi punëtore, ashtu edhe si forcë intelektuale. Rinia është forca prodhuese dhe pakësimi i saj ndikon direkt në mirëqënien e një shoqërie.
"Një nga tragjeditë që ndeshet kur rinia largohet nga vendi i saj, është se ulet niveli i novacionit dhe aftësive. Rëndësi shumë të madhe ka që të kthehet në vend fuqia intelektuale, pasi mendja e njeriut është burimi më i vlefshëm i një ekonomie," thotë Wetenberg. Megjithëse problemi sjell pasoja në periudhën afat-shkurtër, këto pasoja sheshohen me kalimin e viteve dhe e ardhmja mund të mos jetë aq e zymtë saç duket aktualisht thotë analisti Nikolas Eberstadt: "Në mbarë Evropën ka ekzistuar një praktikë emigracioni që prekte kryesisht meshkujt. Por shumë veta kthehen pasi arrijnë të sigurojnë burime të mjaftueshme financiare. Për shembull në Itali në prag të shekullit të 20 afro 1 ndër 7 meshkuj emigronin në Shtetet e Bashkuara. Por afro gjysma e tyre u kthyen në atdhe në kushte më të mira ekonomike. Pa dyshim do të ketë probleme sociale afat-shkurtra, por këta emigrantë ndihmojnë vendin pasi sjellin në atdhe para nga fitimet e nxjerra.".
Një problem më akut që ka filluar të shfaqet në shumë vende evropiano-lindore, përfshirë edhe Shqipërinë, por nuk po tërheq vëmendjen e duhur, thotë Eberstadt, është lindja e 7 deri në 10 për qind më shumë bebeve meshkuj se sa bebeve femra, një nivel shumë më i lartë se disproporcioni natyror: "Nuk mund të them që ky problem vërehet vetëm në Shqipëri. Ky fenomen vërehet edhe në pjesë të tjera të botës, në përmasa ekstreme në Kinë dhe në Indi, si dhe në përmasa më shqetësuese në disa ish-republika sovjetike apo të ish-Jugosllavisë. Ky fenomen është rezultat i ndërthurjes së tre faktorëve të ndryshëm: preferenca e vazhdueshme për meshkuj në disa kultura, e ndërthurur me uljen e nivelit të lindjeve që e bën edhe më të dëshirueshme që fëmija i vetëm të jetë mashkull, e ndërthurur me përdorimin e teknologjisë, si sonogramës për të zbuluar që para lindjes gjininë e fetusit, duke u dhënë mundësi prindërve të abortojnë fetueset femra," tha zoti Eberstadt. Ky problem shqetësues, thotë zoti Eberstadt, nuk mund të zgjidhet me dekrete qeveritare, por kërkon një emancipim më të lartë të shoqërisë, për të kapërcyer preferencat në disa kultura për meshkujt: "Ligjet nuk janë tjetër veçse një copë letër dhe nuk ndikojnë tek zemrat e njerëzve. Kjo arrihet me praktika që burojnë nga vetë shoqëria: për shembull Koreja e Jugut ka një balancë negative ndërmjet foshnjave femra dhe atyre meshkuj. Por gjendja ka filluar të përmirësohet, pasi në shoqëri u përhapën nisma për të rritur përkujdesjet dhe dashurinë për vajzat. Pra ndryshimet duhet të vijnë nga shoqëria civile, pasi nuk mund të presësh shumë nga ligjet."
Vetë rënia e numrit të lindjeve, si të gjitha prirjet e tjera sociale ka edhe efektet e veta pozitive. Për shembull, problemi i mbipopullimit, që kanë ngritur me të madhe sociologët prej disa dekadash, do të zgjidhej. Përveç kësaj do të ulej edhe ndotja e mjedisit. Në aspektin praktik, do të lehtësohej trafiku, por një përqindje gjithnjë e më e lartë e shoferëve do të ishin në moshë të thyer, pra vështirë se të thuhet se do të ulen aksidentet. Ndërsa, përsa i përket pakësimit të numrit të femrave, vajzat do ta kishin gjithnjë e më të lehtë të zgjidhnin partnerë, por pasojat e një balanci të tillë do të ishin shumë negative për gjithë shoqërinë.
|